Banka Kombëtare Tregtare (në vijim BKT) ka kënaqësinë të mbështesë Kodin Financiar për Gratë Ndërmarrëse (në vijim “WE Finance Code” ose “Kodi”), një iniciativë ndërkombëtare e cila synon të mbyllë boshllëqet në financim dhe të eliminojë pengesat për gratë ndërmarrëse. BKT do të angazhohet të punojë në partneritet me palët e tjera të interesit në Kosovë për të ofruar lidership, përmirësuar të dhënat dhe për të ndërmarrë veprime konkrete në mbështetje të kësaj agjende.

Si nënshkruese e Kodit WE Finance, BKT zotohet për anagzhim në secilën nga tre shtyllat e Kodit:

Zotimet për Lidership:

  1. BKT emëron znj. Jehona Oruqi Kica si Kampione të Kodit WE Finance, që të përfaqësojë institucionin në koalicionin kombëtar dhe koordinimin e zbatimit të brendshëm.
  2. BKT do të mobilizojë burimet e brendshme duke alokuar buxhet të dedikuar, duke ofruar trajnime për stafin, fushata marketingu dhe përmirësime në IT, si dhe do të emërojë ambasadorë të WMSME në degët rajonale për të mbështetur gratë ndërmarrëse.
  3. BKT do të avancojë barazinë gjinore në qeverisje dhe praktikat operacionale përmes veprimeve gjithëpërfshirëse siç janë trajnimi i punonjësve, ndërgjegjësimi dhe rishikimi i politikave të burimeve njerëzore dhe pagave.
  4. BKT do të harmonizojë praktikat e punës me standardet ndërkombëtare të barazisë gjinore si EDGE ose MAMFORCE, duke forcuar politikat gjithëpërfshirëse si benefitet e lehonisë, barazinë në rekrutim, mbështetjen për kujdesin ndaj fëmijëve dhe praktikat fleksibile të punës.
  5. BKT do të publikojë një kategori të dedikuar në Raportin Vjetor për barazinë gjinore dhe performancën e bizneseve të grave, duke paraqitur veprimet e ndërmarra nën Kodin WE Finance.
  6. BKT do të theksojë rolin e NVM-ve në pronësi të grave përmes fushatave të përbashkëta, komunikimit në rrjetet sociale, deklaratave të klientëve dhe promovimeve të përbashkëta.

Zotimet për të Dhëna:

  1. BKT do të kryejë hulumtim mbi nevojat e bizneseve të drejtuara nga gratë dhe burrat përmes anketave dhe konsulentëve të jashtëm, çdo vit, me qëllim të informimit mbi dizajnimin e produkteve dhe shërbimeve.
  2. BKT do të mbledhë dhe raportojë të dhëna të depozitave të NVM-ve të ndara sipas gjinisë në Bankën Qendrore.
  3. BKT do të regjistrojë, analizojë dhe raportojë në mënyrë sistematike arsyet e refuzimit të aplikimeve për kredi të NVM-ve, për të kuptuar më mirë pengesat me të cilat përballen gratë ndërmarrëse.
  4. BKT do të harmonizojë sistemet e raportimit me përkufizimin e dakorduar kombëtar për WMSME, të rregullojë segmentimin e portfolios dhe të sigurojë konsistencë në raportimin ndaj Bankës Qendrore të Kosovës.
  5. BKT do të zhvillojë dhe promovojë mundësi financimi të përshtatura sipas nevojave të WMSME-ve përmes strategjive të komunikimit nga hulumtimet e tregut.
  6. BKT do të përmirësojë infrastrukturën e të dhënave për të mundësuar raportimin e ndarë sipas gjinisë në Bankën Qendrore të Kosovës.
  7. BKT do të kontribuojë në raportimin e unifikuar në nivel industrie duke zbatuar përkufizimin e koalicionit për NVM-të e drejtuara nga gratë.

Zotimi për Veprim:

  1. BKT do të ridizajnojë produktet ekzistuese kreditore për të adresuar nevojat specifike të grave, duke përfshirë oraret fleksibile të pagesave, periudha grace më të zgjatura dhe bankimin online falas.
  2. BKT do të zhvillojë produkte të reja financiare për WMSME-të, duke përfshirë kredi, overdraft, depozita, garanci, financim POS/VPOS, kartela krediti dhe financim për ekonominë qarkore.
  3. BKT do të dizajnojë pako llogarish të dedikuara për gratë ndërmarrëse bazuar në moshën, sektorin dhe lokacionin, të cilat përfshijnë shërbime digjitale, tarifa më të ulëta dhe norma preferenciale.
  4. BKT do të ofrojë shërbime jo-financiare duke përfshirë trajnime për marketing digjital, edukim financiar, promovim eksporti, aftësi negociuese dhe planifikim biznesi, si dhe programe mentorimi për WMSME-të.
  5. BKT do të rrisë numrin e klienteve WMSME dhe shumën totale të financimit.
  6. BKT do të organizojë ngjarje me qëllim rrjetëzimi dhe do të mbështesë pjesëmarrjen e WMSME-ve në panaire, ekspozita dhe evente të partnerëve për të përmirësuar qasjen dhe praninë në treg.
  7. BKT do të rrisë shitjen e produkteve të ndërlidhura duke inkurajuar NVM-të e drejtuara nga gratë të përdorin linja të shumta shërbimesh – depozita, kredi, garanci, sigurime dhe kanale digjitale në mënyrë që të sigurojnë mbështetje financiare gjithëpërfshirëse.
Na Kontakto

+383 38 666 666

Video Libraria

video-icon

Shkarko BKT Mobile

Shkarkoni aplikacionin tonë mobil në dy platformat

ios android