Tiranë, Shqipëri (27 nëntor 2014) – Revista prestigjoze “The Banker”, një publikim i Financial Times i cili përzgjedh çdo vit bankat më të mira në botë, vlerësoi Bankën Kombëtare Tregtare si “Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2014” në një ceremoni të zhvilluar në Londër më 27 nëntor 2014.
Çmimi u tërhoq nga Kryetari i Bordit Drejtues z. Mehmet Usta dhe Drejtori i Përgjithshëm e Anëtar i Bordit Drejtues z. Seyhan Pencabligil.
Z. Mehmet Usta, Kryetari i Bordit Drejtues të BKT që prej 2009, u shpreh: “Ndihem shumë i lumtur që në emër të BKT-së të tërheq këtë çmim për të pestën herë si “Banka më e mirë e Vitit në Shqipëri”. Performanca e suksesshme në të gjitha segmentet e biznesit dhe kënaqësia e klientëve janë faktorët kryesorë që ndikuan në një vlerësim të tillë. Tashmë prej qershorit 2014, me 23% të tregut si dhe me 2.8 miliardë USD në asete totale BKT është banka më e madhe në sistemin bankar shqiptar. Falenderimet e mia shkojnë për të gjithë punonjësit tanë të cilët bashkë me klientët dhe partnerët tanë të biznesit mundësuan një vlerësim kaq të rëndësishëm.”
Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtari i Bordit Drejtues Z. Seyhan Pencabligil u shpreh se “Këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, ne kemi marrë tre çmime shumë të rëndësishme për sektorin bankar. Por çdo cmim i marrë sjell me vete përgjegjësitë e veta. Këto përgjegjësi tani janë akoma më të mëdha dhe ne si banka më e vjetër dhe më e madhe në vend vazhdojmë përpjekjet tona në drejtim të rritjes së prosperitetit dhe rritjes ekonomike kudo ku operojmë. Qëllimi ynë është zmadhimi dhe rritja e markës BKT në rajon, si marka shqiptare më me vlerë.”
BKT, banka tregtare më e vjetër dhe më e madhe në Shqipëri, gjatë vitit 2014 është përzgjedhur si “Banka më e mirë në Shqipëri” edhe nga “Euromoney” dhe “EMEA Finance”, dy institucione financiare ndërkombëtare shumë të rendësishme.
Me një total asetesh prej 2.8 miliardë dollarë, BKT u shërben klientëve të saj nëpërmjet rrjetit të saj me 88 degë nga të cilat 63 në Shqipëri dhe 25 në Kosovë.