Me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve 1 qershorit, Banka Kombëtare Tregtare SH.A. ia dhuroi SOS Fshatrave të Kosovës 20 kompjuterë me të gjitha pajisjet përcjellëse.
Në ceremoninë e pranimit të kompjuterëve, Drejtoresha e SOS Fshatrave të Kosovës, znj. Ora Bytyçi, e falënderoi Bankën Kombëtare Tregtare Kosovë SH.A. për donacionin dhe shtoi se ishte e lumtur që BKT kishte zgjedhur SOS Fshatrat e Kosovës për t’i dhuruar kompjuterët dhe se donacione të tilla janë të mirëpritura. Ajo theksoi se ky donacion do te ketë ndikim të madh në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve të kësaj qendre.
‘SOS Fshatrat e Kosovës kanë pasur nevojë të madhe për një kabinet të kompjuterëve dhe më në fund, këta fëmijë dhe të rinj do të kenë mundësi të hyjnë në botën kompjuterike, të zhvillojnë aftësi të ndryshme dhe t’i përdorin kompjuterët për qëllime edukimi dhe për përgatitje profesionale. Disa prej fëmijëve janë në shkollën dixhitale dhe ata do te gëzohen shumë kur tu tregojmë për kompjuterët e pranuar’, – shtoi zonja Ora Bytyçi.
Përfaqësuesi i BKT-së në këtë ceremoni theksoi: ‘Ne si bankë ndihemi të lumtur dhe të privilegjuar që mundëm t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë e SOS Fshatrave. Ne, Banka Kombëtare Tregtare SH.A. zotohemi se edhe në të ardhmen do të jemi pranë SOS Fshatrave të Kosovës’.
BKT angazhohet në shumë projekte të lidhura me mjedisin, komunitetin dhe përgjegjshmërinë sociale, të krijojë vlera për vendin dhe në mënyrë që të japë kontribut për shoqërinë duke ofruar produkte dhe shërbime cilësore dhe përmes krijimit të mundësive për punësim.
Përshkrimi i konceptit të përgjegjshmërisë sociale të BKT-së është i bazuar në parimin “Kontribo për shoqërinë”, prandaj, Banka Kombëtare Tregtare Kosovë Sh.A. është e vendosur të mbështesë projekte të ndryshme si në kulturë, sport, shëndetësi, arsim, art etj. Nga kjo pikëpamje, në mënyrë direkte ose indirekte, BKT mbështet artet e ndryshme, sportin si dhe aktivitetet e edukimit dhe vepra bamirësie që reflektojnë vlerat e institucionit ndaj shoqërisë dhe të punësuarve.