Pandemia COVID-19 përveç se ka vështirësuar përditshmërinë tonë, ka krijuar edhe mundësi që keqpërdoruesit kibernetikë të përfitojnë nga rritja e aktivitetit të shitjeve online.
Së fundmi, në nivel global individë me qëllim të përfitimit përmes mashtrimit, kanë krijuar uebfaqe per shitblerje online përmes të cilave përvetësojnë të dhënat e kartës bankare të vendosura nga blerësit e interesuar.
Në këto faqe kryesisht shiten produkte me çmime relativisht të ulëta, kjo me qëllim që blerjet t’i bëjnë sa më atraktive. Kur ju kryeni blerje dhe vendosni të dhënat e kartës suaj, këto të dhëna pastaj shfrytëzohen nga keqpërdoruesit për të kryer blerje tjera në vlera më të mëdha të pa autorizuara nga kartëmbajtësit.
Duke qenë se këto faqe është vështirë të detektohen si burime mashtrimi, ju duhet t’i kushtoni më shumë vëmendje pikave të mëposhtme gjatë blerjeve online:
- Sa reale tingëllon oferta e shitjes? Ndoshta është shumë e mirë për të qenë e vërtetë.
- Uebfaqja është krijuar së fundmi, domethënë është kanal i ri shitjeje.
- Ju nuk keni dëgjuar më parë për këtë uebfaqe.
- Faqja ka linqe për t’u ndjekur në rrjetet sociale Facebook, Pinterest, Twitter apo gjetiu, por kur klikoni mbi ikonat e tyre nuk ndodh asgjë.
- Të dhënat e kontaktit nuk ndërlidhen me emrin e faqes apo strukturën (shembull: emri i faqes HOTYOUNICE ndersa adresa e emailit kontaktues eshte service@stcooltre.com).
BKT Kosova fton të gjithë klientët e saj të kenë kujdes të shtuar gjatë blerjeve online kur kërkohet pagesa e menjëhershme përmes kartës, duke hulumtuar mbi vërtëtësinë e ofruesit të shërbimit.
#rriNshpi dhe #blejSigurt