BKT Kosova këtë vit ka mbështetur “Linja e Jetës”, linja e parë kundër vetëvrasjeve në Kosovë.
“Linja e Jetës” është qendra e parë telefonike për parandalim të vetëvrasjeve në Kosovë e cila, që nga themelimi i saj në nëntor të vitit 2019, ka ofruar shërbim emergjent pa pagesë për secilin telefonues në nevojë.
Përveç vullnetarëve, gjatë orëve të operimit “Linja e Jetës” ka aktiv edhe mbikëqyrësit. Përgjegjësia kryesore e mbikëqyrësve është ofrimi i mbështetjes dhe këshillave gjatë dhe pas thirrjes për vullentarët të cilët janë duke realizuar thirrje me një nga telefonuesit.
Gjatë thirrjeve, vullnetarët fokusohen në de-eskalim dhe në ofrim të mbështetjes emocionale në mënyrë që të mund t’i ofrojnë secilit telefonues një ndihmë afatshkurt, ndihmë kjo e cila do t’ua mundësonte atyre që të mund ta vlerësojnë situatën në të cilën gjenden në një mënyrë racionale. Përveç kësaj, në përfundim të thirrjes, vullnetarët referojnë thirrësit te psikoterapeutë dhe psikiatër të besueshëm në mënyrë që ata të marrin ndihmë afatgjatë.