Dega e parë e Bankës Kombëtare Tregtare u themelua në Durrës më datë 29 nëntor 1925, në godinën historike ku sot ndodhet Dega e BKT në Durrës. Godina në të cilën ndodhet kjo degë e BKT-së përfaqëson aktualisht institucionin financiar shqiptar më të vjetër në vend. Më 1 nëntor 1926 dhe 15 nëntor 1926 u hapën respektivisht degët e Shkodrës dhe të Vlorës.
Banka Kombëtare Tregtare me emërtimin e që ka sot u themelua në janar 1993, nga bashkimi i Bankës Tregtare Shqiptare (BTSH) dhe Bankës Kombëtare të Shqipërisë (BKSH). Ndërkohë sot BKT është banka më e madhe e dhe më e vjetër tregtare në Shqipëri. Aktivet dhe pasivet nga aktivitetet e këtyre subjekteve iu transferuan llogarive të BKT-së që prej formimit të saj.
Banka Kombëtare Tregtare u krijua si Shoqëri Aksionere në korrik 1997 me një kapital prej 2.7 miliardë Lekësh.
BKT-ja përfundoi procesin e privatizimit në vitin 2000. Parlamenti shqiptar aprovoi me 6 korrik 2000 kontratën e shitjes ndërmjet Ministrisë së Financave nga njëra anë dhe Konsorciumit të Investitorëve Ndërkombëtare (60% e aksioneve), Korporata Ndërkombëtare Financiare (20%) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (20%) nga ana tjetër. Kalimi i pronësisë u bë efektiv me 17 Tetor 2000. Aksionerët e rinj derdhën 10 milionë dollarë, duke rezultuar në një kapitalizim të fuqishëm të bankës. Nën drejtimin e aksionerëve të rinj dhe menaxhimit të ri, të përbërë thuajse terësisht nga një staf i huaj me eksperiencë të gjerë ndërkombëtare, BKT-ja ndërmori transformime rrënjësore në 2001, për ndërtimin e infrastrukturës dhe ristrukturimin e çdo aspekti operacional të bankës duke filluar që nga personeli, procedurat e deri tek infrastruktura e teknologjisë së informacionit dhe shndërrimin e burimeve të veta njerëzore në një skuadër të re e dinamike profesionistësh të angazhuar për të arritur nivele përsosmërie. Viti 2006 filloi me një faqe të re për BKT. Me të marrë aprovimin nga Banka e Shqipërisë dhe vendimin e posaçëm gjyqësor, me 9 Qershor 2006 u miratua transferimi i aksioneve që konsistonte në kalimin e 60% + 2 të aksioneve të BKT në favor të Çalik-Seker Konsorsiyum Yatirim A.S.
Pas vendosjes për zgjerim edhe ne Kosovë, numri i degëve ne Kosovë arrin në 27, duke e bërë BKT-në bankën shqiptare më të madhe në rajon.
Më 30 Qershor 2009, Çalik Financial Services blen pjesën e aksioneve të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim duke u bërë në këtë mënyrë aksionerja e vetme e BKT me 100% të aksioneve.
Gjatë viteve 2006 – 2011 BKT, me performancën e arritur merr një seri vlerësimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat disa herë rresht si “Banka më e mirë e vitit” në Shqipëri, Banka më e mirë, ndër bankat e nivelit të mesëm, në Europën Juglindore” duke kulmuar me vlerësimin si “Banka më e mirë e vitit në Europën Juglindore në vitin 2009”. Njëkohësisht për dy vite rresht, BKT vlerësohet me notën AAA (Alb) nga instituti prestigjioz JCR- ER. Në të njëjtën kohë Banka e Shqipërisë për të tretën herë dhe për të pestin vit rradhazi vlerëson BKT me notën 1- Strong sipas Sistemit të Vlerësimit Bankar CAMELS duke konstatuar në këtë mënyrë rritjen akoma më të madhe të besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së BKT në sistemin bankar shqiptar. Njëkohësisht revista prestigjioze e sektorit bankar The Banker, pjesë e Financial Times, vlerëson 2 vite rresht (2010 dhe 2011) BKT-në si bankën e vitit në Shqipëri.
Prej 2011, BKT vazhdoi të rrisë pjesën e saj të tregut në çdo segment të shërbimeve bankare duke u bërë kështu dhe banka më e madhe në vend përveçse më e vjetra. EMEA Finance dhe Euromoney e vlerësuan BKT si Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2012, ndërsa JCR-ER e vlerësoi me notën AA(Alb) për Qeverisjen e Korporatave. Viti 2013 ishte viti më i suksesshëm për BKT pasi ajo mundi të fitojë të tre çmimet më prestigjoze të sektorit bankar duke u shpallur Banka më e mirë në Shqipëri nga EMEA Finance, Euromoney dhe The Banker, ndërsa Drejtori i Përgjithshem i BKT fitoi çmimin “CEO i Vitit në Europë” nga EMEA Finance. Sukses ky që u përsërit në vitin 2014 duke fituar përsëri jo vetëm tre çmimet e mëdha por edhe çmimin për Përgjegjshmërinë Sociale të Korporatës nga EMEA Finance dhe notën AAA(Alb) për Qeverisjen e Korporatave nga JCR. Viti 2015 është viti i 90 i veprimtarisë financiare të BKT.
Më datën 30 Prill, 2018, Banka Kombëtare Tregtare Dega në Kosovë ndryshon statusin e saj nga Degë e Bankës së huaj në Bankë Shoqëri Aksionare. Me ndryshimin e statusit Banka ka ndryshuar edhe emrin nga Banka Kombëtare Tregtare Dega në Kosovë në Banka Kombëtare Tregtare Kosovë SH.A.