Presidenti i Çalik Holding nderohet me Çmimin e Solidaritetit Social nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i ka akorduar Presidentit të Çalik Holding, z. Ahmet Çalik, Çmimin e Solidaritetit Social për vitin 2014, me motivacionin: “Për vëmendje dhe kontribut të veçantë të kompanive të Çalik Holding në Shqipëri”.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj ia ka dorëzuar këtë çmim z. Çalik në një ceremoni të zhvilluar në Shtëpinë  e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Ky është Çmimi i parë i këtij lloji në vend që synon të bëhet traditë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.Të pranishëm në ceremoni ishin Ambasadori i Republikës së Turqisë, z. Hidayet Bayraktar, drejtues të agjencive turke në Shqipëri, përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe përfaqësues të BKT dhe ALBtelecom.

Të ftuarit u mirëpriten nga Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, znj. Etleva Bisha, e cila duke falënderuar z. Çalik në emër të institucionit që drejton, u shpreh se bashkëpunimi i shkëlqyer me kompanitë e Çalik Holding në Shqipëri e meriton plotësisht një vlerësim të tillë. Ndërkohë, Ministri Veliaj, në fjalën e tij, falënderoi përzemërsisht z. Çalik për kontributin e vazhdueshëm social që kompanitë e tij që kanë dhënë në Shqipëri, duke theksuar se ky është një shembull për t’u ndjekur dhe të gjithë duhet të kontribuojmë në këtë drejtim.

Z. Çalik tha se ky çmim u shkon punonjësve të kompanive që operojnë këtu. “Më lumturon fakti që operatori më i madh në vend ALBtelecom dhe Eagle Mobile, si dhe banka më e madhe në Shqipëri BKT kanë bërë diçka shumë të mirë. Me konfirmimin tonë ata u kanë dhënë mbështetje fëmijëve shqiptarë. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë. Unë jam i gëzuar që grupi më i madh i telekomunikacionit në Shqipëri, ALBtelecom dhe Eagle Mobile dhe banka më e madhe në vend, BKT, në bazë të filozofisë së Grupit tonë kanë kontribuar për fëmijët”, ka thënë Çalik.

Gjatë këtij vitit janë rinovuar mobiljet e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë; është restauruar Shtëpia e Fëmijës në Vlorë, Qendra Sociale e Velipojës, Salla e kinemasë së “Zyber Hallullit”; janë dhuruar pajisje mjekësore për sektorin e shëndetësisë;  është ofruar internet falas për Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër; kemi mbështetur fushatën mjedisore të pastrimit të Shqipërisë, si dhe kemi kontribuar në shtimin e gjelbërimit në kryeqytet me mbjelljen e pemëve.

Na Kontakto

+383 38 666 666

Video Libraria

video-icon

Shkarko BKT Mobile

Shkarkoni aplikacionin tonë mobil në dy platformat

ios android